“Karuseli” i Barcelonës, nga Jerri Mina tek Zheison Murijo!

Barcelona e pati një mbrojtës qendre kolumbian dhe ai ishte Jerri Mina. Shtatlarti 23-vjeçar luajti shumë pak për katalanasit, për shkak të konkurrencës së madhe në mbrojtje, por pastaj shkëlqeu në Botëror duke shënuar 3 gola. Dëshira e madhe për të pasur minutazh, e bëri që të braktiste “Kamp Noun” për Evertonin në Angli, me klubin anglez që pagoi mbi 30 milionë euro për kartonin, ndonëse Barça ruan të drejtën për ta marrë përsëri.

Gjithsesi, trajneri Valverde pati telashe me mbrojtjen këtë sezon, pasi Samuel Ymtiti ka probleme me gjurin, dhe Tomas Vermelen u dëmtua përsëri. Kjo bëri që katalanasit të merrnin kolumbianin tjetër, Zheison Murijon. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar, huazim nga Valencia, ka klauzolë për t’u bërë lojtar i Barçës për 25 milionë euro, në fund të sezonit.

Në Katalonjë ka kritika se përse u preferua një lojtar i huaj në vend të një futbollisti të ri të Akademisë, por Erik Abidal, sekretari teknik i “azulgranëve” sqaroi se kjo kishte qenë kërkesë e Valverdes. “Këtu komandon trajneri, – tha ai, – dhe ai vendosi kështu”.

Sfidanti.al