Nuk dihet nëse mund të realizohet mrekullia në Champions, pas humbjes 1-2 në Madrid me Mançester Sitin, por ka edhe një objektiv tjetër. Bëhet fjalë për titullin kampion, që Reali nuk e fiton që nga viti 2017, dhe që e ka fituar shumë pak herë në epokën e Lionel Mesit, veçse me këtë që po shikohet në stërvitje, besohet se shanset nuk janë të këqija. Vërtet Barcelona kryeson me 2 pikë më shumë, por mediat shkruajnë se tifozët mund të jenë optimistë për nivelin dhe përkushtimin që po tregon në stërvitje Eden Hazari.
Ylli i marrë për rreth 100 milionë euro nga Çelsi, po lë pas një fillim të vështirë sezoni, për mungesë përshtatjeje dhe për dëmtim, e po tregon nivelin e tij të vërtetë. Së fundi, ai shënoi 3 gola në një ndeshje përgatitore me ekipin në kompleksin sportiv në “Valdebebas”, ndërsa u duk se po lidhej shumë më tepër me shokët e skuadrës. Me gjasë, do të jetë në nivelin që pati tek Çelsi dhe me kombëtaren e Belgjikës. Duhet të nxitojë sepse në një sezon (deri tani) ka shënuar vetëm 1 gol, ndërsa u mor për të bërë të harrohej Kristiano Ronaldo.
Sfidanti.al