Grizman prezantohet larg tifozëve, Barça ka frikë nga zemërimi i tyre!

Një mbërritje e thjeshtë dhe menjëherë shprehja e emocioneve. Antuan Grizman u mirëprit dhe u prit nga Barcelona, si lojtari më i ri i ekipit. “Jam shumë i lumtur, shumë i emocionuar, – ishin fjalët e para të sulmuesit, – mezi po pres të bashkohem me shokët e rinj në stërvitje, pra jam shumë i lumtur

Barça u kujdes që të mbante larg tifozët, për shkak të revoltës së tyre pasi Grizman vjet i ktheu shpinën klubit dhe vazhdoi me Atletikon. Shumë pak përkrahës katalanas patën rast ta përshëndesnin francezin. “Kjo është një sfidë e re, janë objektiva të rinj, – thotë ai për televizionin “blaugrana”, – shpresoj të vazhdoj të jem i suksesshëm, siç kam qenë me Francën dhe me ish-ekipin tim. Shpresoj të mos shkojë mbajë”.

Prezantimi i tij u bë në ambientet e brendshme të klubit, edhe kjo besohet për ta mbajtur larg tifozëve, për të shmangur ndonjë të papritur. Justifikimi ishte gjetur pasi po ndërrohet tapeti i “Kamp Nout”, ndërsa stadiumi i vogël ishte i zënë nga një aktivitet tjetër. Të shumtë në numër, në momentin e veçantë, ishin kameramanët, gazetarët dhe fotoreporterët.

Nuk pati spektakël me topin në fushë të hapur, por thjesht një xhonglim i sferës përpara banderolës me shkrimin në dialektin katalanas “FCB, më shumë se një klub”. Grizman e hodhi më pas topin me saktësi në koshin ku duhej të rrinte. Ai shprehu dëshirën që të fitonte La Ligën, Championsin, Kupën e Mbretit, Superkupën e Spanjës, synime të klubit, dhe synimet e tij.

Siç është bërë traditë, vetë lojtari mori pjesë në përgatitjen e fanelës së tij të personalizuar, në stampimin e mbiemrit. Tashmë, ai mund të quhet i lumtur. Gjithçka po shkon sipas dëshirës, nëse vjet nuk ishte i bindur dhe vazhdoi me Atletikon, tashmë është lojtar i Barcelonës. Ai dhe familja e tij nisin një aventurë të re, një jetë të re, ndërsa shqetësimi mbetet, sepse suksesi asnjëherë nuk është i garantuar.

Sfidanti.al