Presidenti katalanas, Zhoan Laporta, pati fjalë të shkëlqyera për të, por edhe theksoi se transferimi i tij në “Kamp Nou” kishte qenë një gabim. “Antuan Grizman pati një sjellje shembullore tek Barcelona, – tha Laporta, – por, blerja e kartonit të tij ishte gabim sepse ai nuk është një lojtar që i përshtatet stilit të ekipit tonë”. Gjithsesi, kjo është temë tashmë e kaluar sepse Grizman ka kaluar tek Atletiko e Madridit, një ekip që dihet se i përshtatet stilit të tij, pasi ka punuar më parë me trajnerin Diego Pablo Simeone.
Grizmani realizoi një “hakmarrje franceze” me dy golat e shënuar për kombëtaren në eleminatoret e Kupës së Botës ndaj Finlandës në Paris. Sulmuesi i Francës po kalonte një moment tepër të vështirë në karrierë, por pati forcë karakteri. Jo keq për një njeri që u paraqit si viktimë e klanit Mbape-Benzema. “Prekja e bukur e Grizusë, – shkruan me dashuri e përditshmja e shquar “L’Ekip”, – në vështirësi prej disa ndeshjesh, sulmuesi reagon siç duhet”. “Nuk kam dyshuar kurrë tek vetja, – tha Grizmani, – vështirësia është pjesë e futbollit, por jemi profesionistë dhe jemi krenarë që luajmë për Francën”. Me këta dy gola, sulmuesi i Atletikos së Madridit, arriti Mishel Platininë me 41 rrjeta për “gjelat”, ndërsa është 10 gola larg rekordit të Tieri Henrisë.
Sfidanti.al