Në krye janë baskët, jo Atletik i Bilbaos, por të respektueshmit e Sociedadit të San Sebastianit. Kampionati spanjoll është kthyer në një “parlament demokratik”, krejt ndryshe nga arena e zakonshme e dominimit të Realit, Barcelonës apo më pak Atletikos së Madridit. Barazimi 2-2 i kësaj të fundit në fushën e Levantes ishte shenja e fundit e “kryengritjes popullore”. Enis Bardhi, shqiptari i Maqedonisë së Veriut, shënoi dy herë me penallti për vendasit, ndërsa kampionët në fuqi të Spanjës nuk mundën të përfitonin nga ndalesat e Realit dhe Barcelonës. Antuan Grizman dhe Kunja shënuan golat për Atletikon që kryesoi dy herë, veçse nuk ia doli të fitonte sepse Bardhi barazoi në 90’. Trajneri Simeone u përjashtua me të kuq, ndërsa Ançeloti tek Reali po vuan jo pak, dhe tek Barcelona i dhanë duart Ronald Kumanit. Sociedadi, ndërkaq, vazhdoi sezonin e shkëlqyer me fitoren 2-0 në fushën e Seltës me gola të Isakut dhe Elustondos. Sociedadi ka 24 pikë në 11 ndeshje, Reali ka 21 në 10, ndërsa Atletiko është në vend të 5-të me 19 pikë e Barcelona në të 9-in me vetëm 15 pikë. Pranë kreut janë Betisi, Sevilja, Osasuna, Rajo Vajekano dhe Bilbao.
Sfidanti.al