F1, ç’po ndodh me motorët e famshëm të makinave Mercedes?!

Prej shumë vjetësh kanë qenë forca dominuese e kampionateve botërore. Skuadra Mercedes është kampione e rruzullit për një kohë të gjatë dhe pa ndërprerje, diçka për nivelin ekipor duket se do ta bëjë edhe këtë sezon. Gjithsesi, Mercedesi nuk është më ajo skuadra e paarritshme e Formula 1, dhe jo vetëm sepse Red Bulli është përmirësuar dhe se Maks Verstapeni është favorit për ta fituar titullin përpara Ljuis Hamiltonit. Vetë inxhinierët dhe teknikët në ekipin gjerman (me bazë në Angli) nuk po gjejnë dot zgjidhje për problemet e tyre. Shefi i strategjisë së Mercedesit, Xhejms Vaules, thotë se Mercedesi është detyruar të bëjë ndryshime në motor për të dyja makinat, dhe i ka ndërruar motorin më herët Hamiltonit, e pastaj Botasit në SHBA. “Kjo, – thotë ai, – është bërë që të jemi të sigurt se nuk rrezikojmë të mos i mbyllim 5 garat e fundit të vitit”.

Sfidanti.al