Barcelona vuan në Kupë, epo të gjithë e kanë mendjen tek gjyqet e Mesit!

Telenovela me emrin katalanas dhe me emrin e kapitenit është kthyer tashmë në gazin e botës. Dikur quhej Bajerni, “FC Hollivud” nga historitë që krijoheshin në klubin bavarez në vitet 90-të, por asgjë nuk mund të krahasohet me “cirkun e Barcelonës” ku më shumë sesa të mendohet për fitoret dhe për spektaklin, po shpenzohet koha me “panairin e kotësive” të gjyqeve që kanë në qendër të tyre dy personazhe, Lionel Mesin dhe Zhozep Bartomeun.

Konfliktet e brendshme, nga ata që mund të shkatërrojnë çdo klub e çdo skuadër, kanë dalë sheshit dhe kanë mbërritur në dyert e gjykatave. Që nga kontratat ekstravagante të Mesit, tek hakmarrjet e vogla të Bartomeut, erdhi kaosi që po shkatërron sezonin. Vuajtja e tmerrshme në Kupën e Mbretit në fushën e Granadës ishte vetëm “rraskapitja” e radhës, pas humbjes në Superkupë dhe dorëzimit në kampionat. As nuk mund të mendohet që ky ekip i përçarë e i çoroditur të mbërrijë Atletikon në krye të La Ligës. Dhe në fund të një sezoni të tillë pritet largimi i “komandantit”, i atij që u mendua si shpirti dhe simboli i klubit, pra i Mesit. Pavarësisht se çfarë i dha Barcelonës, ajo që i mori ishte e paçmueshme dhe tani po e braktis pa ndjerë mallin si për vendlindjen. Sa larg Pikesë, Pujolit, Ksavit apo Iniestës.

Sfidanti.al