Lionel Mesi duket se e ka bërë një akord me trajnerin e tij, Kike Setien për të mirën e Barcelonës. Gjithsesi, argjentinasi nuk ka mundësi të bëjë akord me mediat spanjolle, të cilat duan të gjejnë “gjilpërën në kashtë”. Jo se Barcelona e sotme nuk ka “gjilpëra në kashtë”, përkundrazi ka plot, por të flasësh për pakënaqësinë e dy vogëlushëve si Riki Puig e Ansu Fati, se nuk luajtën asnjë minutë ndaj Napolit, kjo duket e tepërt. Gazeta “Marka”, gjithsesi, shkruan se Riki Puig është i mërzitur pasi priste të ishte titullar në Champions, Fati diçka më pak, ndërsa habia ishte se përse Setieni bëri vetëm 2 zëvendësime nga 5 të lejuara. “Ndeshja rrodhi në atë mënyrë që na u duk më e përshtatshme kështu”, – ishin fjalët e trajnerit. Puig dhe Fati ishin ndër më të mirët lojtarë katalanas në pjesën e fundit të kampionatit dhe pritet të kenë të ardhme të madhe në “Kamp Nou”.
Sfidanti.al