Barça është një “kështjellë e pamposhtur” për Diego Simeonen!

Mbas golit të Diego Kostës në min. e 77-të në ndeshjen derbi në ”Vanda Metropolitano” të Madridit, u duk se Atletiko e Madridit, më në fund, do ta mundte Barcelonën dhe do të dilte në krye të klasifikimit në La Ligën spanjolle, por nuk qe e thënë. Nëse rezultati do të kishte mbetur 1-0 në favor të Atletikos, kjo do të ishte fitorja e parë e Diego Simeones kundër klubit katalonjas në kampionatin spanjoll, qëkur ai është ulur në stolin e drejtimit të Atletikos. Por, “fajtori” që nuk e la Atletikon të fitonte, ishte Usman Dembele që shënoi golin e barazimit të Barçes në min. e 91-të.
Kështu vazhdon statistika e dëshpëruar për Simeonen, kur është fjala për duelet me Barcelonën në La Liga. Në 14 ndeshjet që ka zhvilluar ekipi i drejtuar nga ai me Barcelonën, kjo e fundit ka fituar në nëntë ndeshje, kurse pesë të tjerat kanë përfunduar në barazim.
Sidoqoftë, krejt ndryshe është në konkurrimet e tjerë, ku Atletiko është më e sukseshme sesa Barcelona, duke e eliminuar këtë të fundit dy herë nga Liga e Kampioneve.
Sfidanti.al