Nuk është e fshehtë që Argjentina rrezikon të mos shkojë në Botërorin e Rusisë. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në përfundim të eleminatoreve, skuadra e madhe latinoamerikane ndodhet në nivelin e plej ofit me Zelandën e Re, por mund të përfundojë edhe më keq.
Shpëtimi mund të vijë nga një fitore këtë të premte ndaj Perusë, ndeshje që do të luhet pikërisht në Buenos Aires. Peruvianët janë dy vende më lart se Argjentina, thjesht për shkak të golave të shënuar, dhe do të përpiqen të shmangin humbjen, veçse kanë protestuar për stadiumin ku do të luhet ndeshja.
Bëhet fjalë për “La Bomboneron”, impiantin e Boka Juniorsit, një stadium ku publiku ka një ndikim të jashtëzakonshëm. Federata e Argjentinës ka menduar t’i vijë kështu në ndihmë Mesit me shokë, në mënyrë që ta kenë më të lehtë për të fituar.
Trajneri i Perusë, argjentinasi Rikardo Garesa, ia ka frikën edhe ndonjë “hileje” tjetër të bashkëpatriotëve të tij, pasi në të kaluarën ekipet kundërshtare kanë pasur problem me ujin mineral që kanë konsumuar në Argjentinë. Për këtë arsye, Peruja do të marrë me vete bidonat e duhur me ujë, si dhe me lëngjet e frutave të domosdoshëm për futbollistët.
Sfidanti.al