Kutinjo, Mane dhe Salah bëjnë Klopin me dhimbje koke

Nuk mjaftoi fitorja në Bërnli, vërtet tepër e rëndësishme, për të qenë i qetë. Trajneri i futbollit duhet të jetë gjithnjë me ilaçet e zemrës me vete dhe kështu duhet të bëjë edhe Jurgen Klopi, që mori dy lajme të këqija. Së pari që Filip Kutinjo është i dëmtuar, dhe së dyti që dy prej lojtarëve kryesorë do të kenë një udhëtim të gjatë në prag të derbit ndaj Evertonit.

Kutinjo nuk luajti fare në Bërnli, ashtu si Mohamed Salah, dhe mungesa e tyre u ndje, edhe pse Klavan shënoi në minutat shtesë për fitoren 2-1. Salah dhe Sadio Mane, ndërkaq, do të duhet të bëjnë nja 9 000 km rrugë vajtje-ardhje, për ceremoninë e Topit të Artë të Afrikës në Ganë, dhe kjo vetëm dy ditë përpara përballjes me Evertonin, një nga më të vështirat që këtë herë zhvillohet për Kupën e Anglisë.

Klop gjithsesi mbetet optimist. “Ne i kemi bërë planet tona, ata do të shkojnë e do të vijnë me çarter, edhe pse rruga do të jetë e gjatë, – u shpreh ai, – ne kemi dy nga tre lojtarët më të mirë të Afrikës në ekip, dhe duhet t’i respektojmë. Një ditë para ndeshjes, ne flemë në hotel, ndërsa ata do të flenë në avion, kjo është e vetmja diferencë”.

Sfidanti.al