Ylli i PSZH-së, Nejmar, e shprehu fare hapur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të gjyqtarit Damir Skomina që tregoi pikën e bardhë të penalltisë në shtesën e ndeshjes së 1/8-tës së finaleve të Ligës së Kampioneve, në të cilën Mançester Junajtidi, pasi fitoi 3-1, e eliminoi ekipin e tij. Asi brazilian nuk u zemërua, por u tërbua, kur dhoma VAR u shpreh në favor të 11-metërshtit kundër PSZH-së, duke i ofenduar keqazi katër gjyqtarët e ndeshjes:
“Ky është një turp i vërtetë. Ekzistojnë katër veta që nuk e kuptojnë futbollin dhe shohin vetëm filmime. E pamundur. Ikni, pirdhuni”! – shkroi Nejmari në twitter-in e tij.
Federata evropiane e futbollit, UEFA, për shkak të komentit të mësipërm, ka nisur procedurën përkatëse disiplinore kundër Nejmarit, sepse ai ka shkelur Nenin 11 të Kodit të UEFA-s që ka të bëjë me sjelljen.
Komisioni Displinor i UEFA-s do të mblidhet më 28 mars dhe me siguri që ai do të diskutojë për ofendimin e rëndë që Nejmari u ka bërë gjyqtarit të ndeshjes PSZH-Mançester Junajtdit, Damir Skomina, dhe ndihmësve të tij.
Sfidanti.al