Kthesë 180-gradshe e Sarit: Kepa është portieri që na duhet

Portieri i Çelsit, Kepa Arizabalaga, mbasi ndeshjen e parafundit mes ekipit të vet dhe Totenhemit e ndoqi nga stoli i rezervave, duket se e fitoi përsëri besimin e trajnerit të vet, Mauricio Sari, dhe në ndeshjen e fundit që “blutë” e Londrës e fituan 2-1 kundër Fullhemit në fushën e këtij të fundit, ai u gjend përsëri mes dy shtyllave të portës.
Sikurse dihet, në ndeshjen finale të Kupës së Ligës mes Çelsit dhe Mançester Sitit ky portier bask refuzoi që t’i bindej Sarit, duke mos pranuar që të dilte nga fusha, kur trajneri italian donte ta ndërronte atë në fund të shtesës së dytë të ndeshjes. Shumëkush priste se Sari nuk do ta përfshintë më atë në formacion, por vetë ky trajner, siç doli, kishte mendim tjetër:
“Kepa është portieri që na duhet neve. Mendoj se kjo ndeshje ishte një moment kthese për të dhe unë shpresoj se ai do ta vazhdojë përformancën e tij të mirë deri në fund të sezonit. Unë jam i kënaqur edhe nga Kavaljero (portieri i dytë). Rëndësi ka që portierët në një ekip të shkojnë mirë njeri me tjetrin”.
Sfidanti.al