Duhej që Kroacia të dilte në finale të Kupës së Botës Rusi-2018 që njerëzve që drejtojnë këtë vend t’u binte ndërmend të ndërtonin një stadium të ri kombëtar, ku përfaqësuesja e këtij vendi të ketë kushte normale që të luajë. Në fakt, ka patur një projekt për ripërtëritjen e stadiumit ekzistues të Zagrebit, “Maksimir”, por ky projekt dështoi, kështu që kryetari i Bashkisë së kryeqytetit kroat, Milan Bandiç, është i vendosur që të ndërtojë një stadium të ri kombëtar “Vullkani blu”.
“Ne nuk do të ndërtojmë nga ata stadiume që ndërton Putini me vlera prej 500 milionë eurosh ose më shumë. Ne nuk jemi Rusia, megjithëse unë, personalisht, kam një respekt të madh për Putinin si president i vendit të tij dhe ashtu sikurse Rusia e organizoi kampionatin botëror. Ne do të ndërtojmë një stadium me një kapacitet prej 35 000 vendesh që do të kushtojë rreth 100-120 milionë euro, 70 për qind të të cilave do t’i japë qyteti i Zagrebit, kurse pjesën tjetër federata e futbollit dhe qeveria kroate. Tani, ka mbetur që federata dhe qeveria të pranojnë të japin pjesën e vet. Nuk ka kohë më të mirë që ne të ndërtojmë një stadium të ri”, vuri në dukje kryetari i Bashkisë së Zagrebit.
Sfidanti.al