Kontrata e re e Mesit – një pasuri e tërë: afro 40 milionë euro në vit!

Lionel Mesi, prej një kohe të gjatë, bashkëbisedoi me krerët e Barcelonës për kontratën e re dhe, në fund, doli se jo më kot, pasi ai, në bazë të saj, do të fitojë gjithsej rreth 160 milionë euro, gjatë katër viteve të ardhshëm, me bluzën e klubit gjigant katalonjas. Barça po njofton më të madhe se kontrata, tanimë, është arritur dhe pritet që Mesi ta nënshkruajë atë, kur të kthehet në Spanjë nga “muaji i mjaltit”, ndërsa mediumet spanjollë njoftojnë se Lioneli do të fitojë afro 40 milionë euro në sezon gjatë katër viteve, sa zgjat kontrata e re.

Në bazë të kontratës së deritanishme, ylli argjentinas i Barçes fitonte 22,8 milionë euro në vit, kurse kontrata e re do t’i sjellë atij një pagë vjetore të pazakontë prej 39,4 milionë eurosh në sezon. Sa për krahasim, Kristiano Ronaldo, me kontratën e tij të re me Realin, do të fitojë 23,6 milionë euro për sezon, kështu që Mesi ka shumë shkaqe që të jetë i kënaqur nga përfundimi i bisedimeve. Sidoqoftë, duhet të sqarohet se Ronaldo zotëron, sipas kontratës, një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave që vijnë nga të drejtat për imazhin e vet, kurse Mesi pothuajse të gjitha të ardhurat në fjalë ia la Barcelonës, që të siguronte një pagë më të lartë të garantuar.

Sfidanti.al