Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin, ka diskutuar idenë e tij me krerët e tjerë të “shtëpisë” së futbollit evropian për pakësimin e dallimeve mes klubeve të pasur dhe të varfër, me synimin që të ruhet ekuilibri në futbollin evropian. Zyrtari slloven më i lartë i UEFA-s konsideron se është e papranueshme që klubet më të pasur të tërheqin futbollistët më të mirë, duke prishur, kështu, konkurrencën.
“Ne duhet ta ndalojmë këtë dukuri, do të marrim masa”, i deklaroi Ceferini gazetës britanike “Telegraf”. Ai ka planifikuar një serë takimesh me pronarët e klubeve më të mëdhenj të kontinentit, me qëllim që të diskutojë me ata mundësinë e kufizimit të pagave të mëdha për futbollistët dhe agjentët e tyre. “Klubet që nuk do të respektojnë rregullat që ne do të vendosim në të ardhmen, do të jenë të detyruar të paguajnë taksa ‘luksoze’”, vuri në dukje presidenti i UEFA-s.
UEFA, gjithashtu, ka në plan që t’i forcojë rregullat fair play financiar, duke kërkuar që dallimi mes vlerave të blerjes dhe të shitjes së lojtarëve të mos jetë më shumë se 100 milionë euro. Po ashtu, UEFA planifikon që ta kufizojë numrin e futbollistëve të huazuar, me qëllim që të shmanget situata, në të cilën ndodhet Celsi që ka kontrata me mbi 50 futbollistë!