Në Bullgari, mbas mbarimit të pjesës së rregullt të kampionatit, po luhen ndeshjet play off, kështu që tifozët kanë rastin e mirë që të shohin duele të fortë të rivalëve të përjetshëm, Levski dhe CSKA të Sofies, por, sidoqoftë, ata i hapin shumë punë policisë. Para vetëm një jave, në Kupën e Bullarisë, Levski mundi 0-2 CSKA-n në ndeshjen e parë gjysmëfinale (mbas gjashtë ditësh do të luhet ndeshja revansh), kurse, dy dite me pare, klubi “ushtarak”, megjithëse udhëhiqte 2-0 mbas nëntë minutash loje në ndeshjen derbi të kampionatit bullgar, në fund nuk arriti të fitoi mbasi Levski shënoi dy gola dhe rezultati u barazua 2-2.
Sikurse edhe duelët e tjerë të ndërsjellë, edhe ky i fundit u shënua nga incidente të rëndë, më seriozi midis të cilëve ishte ai shkaktuar nga huliganët e Levskit që hodhën një bombë drejt tunelit të daljes së lojtarëve, por që në atë kohë atje ndodheshin policët. Shpërthimi i bombës theu disa xhama, një copë prej të cilëve goditi në sy një police që u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët thanë se vetëm fati ia kishte shpëtuar asaj syrin. Policia ndërhyri, menjëherë, në Sektorin B të stadiumit, ku, zakonisht, qëndrojnë tifozët ultras të Levskit, duke arrestuar rreth 20 prej tyre.
Deri në fund të kampionatit bullgar ka akoma edhe katër javë. Levski, fillimisht, do të presë CSKA-n në kuadrin e Kupës, kurse, më pas, do të luajë me Botevin e Plovdivit. Në tabelën e klasifikimit të kampionatit bullgar, në vend të parë ndodhet Ludogoreci që është shkëputur 8 pikë nga CSKA-ja që është e sigurt në vendin e 2-të dhe do të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të Ligës së ardhshme të Evropës. Levski ndodhet në vendit të 4-t me 51 pikë.
Sfidanti.al