Juventus; dhe telashet s’kanë të sosur; dëmtohet De Sciglio, Sarri emergjencë në mbrojtje

Reparti i mbrojtjes, kryesisht ai në krahë është në emergjencë të plotë te Juventusi. Dëmtimi i De Sciglios dhe ndëshkimi me karton të kuq i Danilos në Bologna kanë bërë që Zonja e Vjetër të jetë pa mbrojtës krahu në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Lecces. De Sciglio iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore pas ndeshjes së zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Dall’Ara nga ku rezultoi se ai ka pësuar një dëmtim të shkallës së ulët në bicepsin femoral të kofshës së majtë. Gjendja e futbollistit do të vlerësohet sërish pas 10 ditësh.

Ndërsa braziliani  do të duhet të kryejë dënimin me një ndeshje skualifikim për dy kartonat e verdhë në fundin e ndeshjes me Bolognan. Këto mungesa i shtohen asaj të Alex Sandro dhe e detyrojnë Sarrin të përdorë fantazinë për të gjetur një zgjidhje për këtë problem dhe zgjidhja mund të jetë Matuidi.

Duke parë situatën dhe pas notave pozitive në ndeshjen ndaj SPAL në 28 shtator të 2019, trajneri i skuadrës bardhezi mund të vendosë që të aktivizojë mesfushorin francez në linjën e mbrojtësve.

Sfidanti.al