Më në fund të dy bënë atë që pritej prej tyre. Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli dhanë sinjale pozitive në prag të grumbullimit në kombëtaren shqiptare, duke shkëlqyer në fitoren 2-0 të Empolit ndaj Kremonezes në Serinë A. Bajrami, që më në fund po e rifiton me meritë vendin e titullarit në ekip, ishte protagonist në të dy golat e toskanëve, një në çdo pjesë loje. Pasi nisi aksionin e rrjetës së parë, ai u tregua me klas në të dytin duke qenë njeriu kryesor i manovrës së Empolit. Për këtë paraqitje ai mori notënn 6.5 duke u cilësuar si njeriu që punoi pas skenës, ndërsa Ardian Ismajli mori notë edhe më të mirë, 7. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u vlerësua se zhvilloi ndeshjen e përsosur duke udhëhequr prapavijën e vendasve sidomos gjatë pjesës së parë të vështirë, kur Kremoneze ushtroi presion. Ismajli ka qenë i tillë gjatë gjithë sezonit, gjithmonë titullar dhe thuajse në çdo rast duke u paraqitur mjaft mirë. Fitorja 2-0 e ndihmoi Empolin që të ngjitej më pranë mesit të renditjes së Serisë A, duke qenë në vendin e 12-të me 17 pikë.
Sfidanti.al