Mauro Ikardi ende nuk e ka rinovuar kontratën me Interin dhe kjo ka bërë që dyshimet për të ardhmen e tij me fanelën zikaltër të rriten dita ditës. Drejtuesit e klubit milanez shfaqen të sigurt se sulmuesi argjentinas do të qëndrojë besnik ndaj Interit, por jo Vanda Nara që është bashkëshortja dhe agjentja e tij. Kjo e fundit jo pak herë ka dhënë mesazhe enigmatike që kanë lënë të mendosh për një largim të Ikardit nga Milano.
Ndërkaq,interesi për kapitenin e Interit është rritur ndjeshëm dhe sipas medias italiane skuadra si Juventus, Mancester Junajtid apo Celsi kanë hyrë në kontakt me futbollistin. Edhe në Spanjë Ikardi ka admirues dhe në krye të listës për momentin qëndrojnë dy ekipet madrilene; Real dhe Atletiko, të cilave mund t’u bashkohet edhe Barcelona që do të kërkojë zëvendësuesin e Luis Suarez dhe Ikardi i përgjigjet profilit të kërkuar.
Një situatë e tillë duhet të shqetësojë drejtuesit e Interit të cilët e dinë shumë mirë se nëse Ikardi nuk e rinovon kontratë me klubin, vlera e kartonit të tij në merkaton e transferimeve do të pësojë një rënie të madhe.
sfidanti.al