Igli Tare kërkon të rinjtë

Igli Tare është vënë në kërkim të talenteve të reja për të bërë një Milan sic thotë ai të etur për fitore. Në vëmendje raportohet të jetë mbrojtësi 18 vjecar i Parmas.

Sezoni i verdhebluve të drejtuar nga trajneri Cristian Chivu u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, me një fitore të bukur ndaj Atalantës dhe me arritjen e objektivit kryesor: mbijetesa në Serie A.

Por përveç sigurimit të kategorisë, Parma ka arritur një tjetër qëllim të rëndësishëm – vlerësimin dhe promovimin e talenteve të rinj, duke e kthyer stadiumin “Tardini” në një destinacion të përhershëm për skautët e klubeve të mëdha italiane dhe ndërkombëtare.

Një nga emrat më të spikatur të këtij sezoni është padyshim Giovanni Leoni, mbrojtësi i lindur në vitin 2006, i cili ka përjetuar një vit ëndrrash.

Pas debutimit në Serie B me Sampdorian, ai ka shënuar edhe debutimin në Serie A me fanellën e Parmës. Viti 2025 ka qenë ai i konfirmimit të tij si një lojtar i besueshëm dhe i pjekur, pavarësisht moshës së re.

Leoni ka shkëlqyer në duelet një për një dhe ka treguar maturi taktike të rrallë, duke neutralizuar sulmues të nivelit të lartë si Kean, Vlahovic dhe Lukaku.

Kombinimi mes moshës së re, potencialit të madh dhe pasaportës italiane e bën atë një objektiv të dëshiruar për klubet që kërkojnë të ndërtojnë për të ardhmen.

Sipas “Tuttosport”, edhe pse merkatoja ende nuk është hapur zyrtarisht, Leoni është tashmë në qendër të interesit të klubeve më të mëdha në Itali.

Ndër to, Milani ka shfaqur interesin më konkret. Me ardhjen e Igli Tares si drejtor sportiv dhe rikthimin e Massimiliano Allegrit në pankinë, klubi kuqezi synon të ndërtojë një “bërthamë italiane” në ekip, dhe Leoni shihet si një pjesë kyçe e këtij plani.

Numri 46 i Parmës ndodhej prej kohësh në radarët e Geoffrey Moncada-s, kreu i scouting-ut te Milani, ndërsa Allegri ka pasur rastin ta ndjekë nga afër në dy raste: gjatë një vizite në qendrën stërvitore në Collecchio në prill, dhe më pas në ndeshjen Parma–Como në maj.

Leoni e ka kaluar “provimin” me nota maksimale, duke bindur trajnerin livornez për potencialin e tij.

sfidanti.al