Ideja për krjimin e një lige rajonale futbolli, tanimë, është në dispozicion të UEFA-s, pasi këtë propozim e ka bërë Federata e Futbollit të Maqedonisë, por, pas paraqitjes dhe publikimit të kësaj ideje, duket se kroatët dhe serbët, se cili më vete, synon që të vihet në krye të këtij konkurrimi rajonal të ardhshëm, kështu që duket si e vështirë se të gjitha palët do të mund të bien dakord për krijimin e një lige të tillë të përbashkët. Kështu që, tani për tani, bisedat për një ligë rajonale të përbashkët ngjasojnë më shumë me një cirk sesa me ndonjë debat serioz për fillimin e realizimit të këtij projekti që, në fakt, duket me interes për të gjithë neve. Tregues lidhur me këtë situatë të paqartë është edhe fakti se, sipas informacioneve më të fundit që vijnë nga media kroate, UEFA ka në plan që të krijohen, të paktën, dy liga rajonale, me qëllim që t’i ndajë kroatët dhe serbët.
Në UEFA, nuk e mohojnë se planet për një fillim të konkurrimeve rajonalë janë në zhvillim e sipër, madje kanë ecur para, sidomos, qëkur në krye të UEFA-së është vendosur slloveni Aleksandar Çeferin, por se po diskutohet për formatin. Kështu që, sipas ideve më të reja, do të krijohen dy liga rajonale, në njerën prej së cilës do të jenë Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Turqia, Greqia, Rumania dhe Bullgaria, ndërsa në ligën rajonale tjetër mund të përfshihen bashkë Çekia, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Bosnja e Hercegovina dhe Hungaria. Po ashtu, përmendet edhe një ligë rajonale në ish-Bashkimin Sovjetik, në të cilin do të mund të konkurronin Rusia, Azerbaixhani, Armenia, Gjeorgjia dhe Moldova. Sipas njoftimeve që vijnë nga UEFA, madje është bërë gati edhe një fond special për këta konkurrime, ndërkohë që ekipet më të mirë të tyre do të mund të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Evropës.
Sfidanti.al