Ibra jep këshillat si të bëhesh i madh, por mos e besoni plotësisht!

Zllatan Ibrahimoviç ka 10 këshilla për këdo që dëshiron që të bëhet i madh në futboll. Një legjendë e sportit mund të duket shumë bindës kur tregon rrugën sesi ka arritur në majë, ndoshta pak a shumë si libri i Donald Trampit “Si të bëhesh milioner”, veçse si njëri, ashtu edhe tjetri nuk mund të besohen plotësisht, dhe jo sepse vërtet gënjejnë.

“Qeshni, – është këshilla e parë e sulmuesit të Mançester Junajtidit që ka shënuar 23 gola këtë sezon, – veçse qeshja duhet të jetë e vërtetë, dhe kështu bëni të lumtur veten dhe të tjerët. Së dyti, shijojeni jetën. Këshilla ime e tretë është që të mos jeni aq shumë seriozë”. Më tej, Ibra vazhdon me “vitaminat” e tjera, si “stërvitje, stërvitje, stërvitje”, “punoni shumë” (sikur është e njëjtë me atë më parë, apo jo?), “kujdes me pamjen e jashtme, me shikimin, pasi kështu mund të trembni kundërshtarët”, “të jeni brilantë”, “kujdesuni për familjen dhe dëgjojeni atë”, “respektoni kundërshtarin, dhe fitoni respektin e tij” (sikur më parë u fol për t’i futur frikën kundërshtarit?), ndërsa këshilla e fundit ishte “kini besim në vetvete”.

Ibra ka harruar disa gjëra shumë të rëndësishme, pasi në futboll duhet të kesh parametra fizikë që të luash në nivele të larta, dhe së dyti duhet të rritesh në një familje dhe në një sistem futbolli që të kujdeset për ju, ndryshe qeshni sa të doni, jepini “gajret” vetes sa të doni, por nuk do të arrini dot gjë, dhe nëse nuk iu kanë mësuar me edukatën e punës që të vogël, nuk mund ta fitosh atë thjesht sepse ti dëshiron ta kesh.

Sfidanti.al