Ekipi kombëtar i mbiquajtur “portokalli” ka qenë ndër më të mirët në botë që në vitet 70-të, por shpesh është shquar edhe për konfliktet në brendësi. Holanda shpesh i ka prishur punë vetes me polemika mes lojtarëve, apo mes lojtarëve e trajnerëve, dhe një e tillë është krijuar sërish. Mbrojtësi Virgil Van Dajk paska thënë pas ndeshjes miqësore ndaj Danimarkës se do t’i pëlqente që kombëtarja të luante me sistemin me mbrojtjen me 4 lojtarë, siç luan tek Liverpuli i Jurgen Klopit, pra jo me 3 lojtarë. Ky koment nuk i ka pëlqyer trajnerit Luis Van Gal, i cili siç pritej, është ngacmuar nga gazetarët. “Unë e di se ai e ka këtë pëlqim, – tha 70-vjeçari, – e ka thënë gjithnjë publikisht. E kemi bërë këtë debat kur unë erdha këtu, por është trajneri që vendos për taktikat. Natyrisht, duhet të punojmë më shumë dhe të përmirësohemi. Do ta analizojmë”.
Sfidanti.al