Hetim i ri i UEFA-s për financat e Gallatasarajit të Stambollit

UEFA ka urdhëruar një hetim të hollësishëm lidhur me shpenzimet që ka bërë klubi Gallatasaraj i Stambollit. Në fakt, ky klub turk bashkë me klubin francez, PSZH, ndodhen nën një mbikëqyrje të fortë, për shkak të shkeljes së mundshme nga ana e tyre të rregullave fair play të përcaktuar nga “shtëpia” evropiane e futbollit. Sipas rregullave në fjalë, klubet që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Evropës, duhet të shpenzojnë aq para sa fitojnë.
Në fakt, hetuesit e UEFA-s kishin arritur një marrëveshje, në qershor, me klubin turk, Gallatasaraj, por, megjithatë, komisioni financiar i saj vendosi që ta hetojë rastin më thellë.
Sidoqoftë, sa të vazhdojë hetimi i rastit të klubit turk, marrëveshja do të qëndrojë në fuqi: Gallatasaraji do të paguajë gjashtë milionë euro nga shpërblimi që do të marrë nga UEFA dhe ekipi që merr pjesë në Ligën e Kampioneve, do të ketë në dispozicion 21 futbollistë dhe jo 25 si të gjithë klubet e tjerë.
Sfidanti.al