Një tragjedi e rëndë ka goditur futbollin peruvian. Helar Gonzales Altamirano, 21-vjeçari i skuadrës Real Titan NC, ka humbur jetën dy ditë pasi ishte shtruar në spital në Moyobamba, pas një përplasjeje të fortë me portierin e Defensor Nueva Cajamarca, gjatë një ndeshjeje të Copa Perú – e cila ndonëse quhet “Kupë”, është niveli i katërt i futbollit peruvian.
Ngjarja ndodhi në minutën e 71′ të ndeshjes së luajtur të dielën e kaluar, kur rezultati ishte 1-1. Një top i gjatë nga mesi i fushës kërkonte depërtimin në zonë të Altamiranos, i cili u hodh drejt topit bashkë me një mbrojtës. Por të dy u parakaluan nga dalja e furishme e portierit kundërshtar, i cili e përplasi rëndë futbollistin. Altamirano po shikonte lart për të ndjekur topin dhe nuk e pa që portieri po vinte me shpejtësi drejt tij, duke e bërë përplasjen edhe më të dhunshme.
Pas përplasjes, Altamirano ra pa ndjenja në tokë dhe, duke parë që nuk po lëvizte, shokët e ekipit dhe kundërshtarët thirrën menjëherë ndihmën mjekësore dhe zjarrfikësit që ndodheshin aty. Vëllai i futbollistit, Eliceo Gonzales Altamirano, tregoi se mjekët që tentuan ta shpëtonin i konfirmuan se vdekja erdhi si pasojë e çarjes së një arterie në kokë, shkaktuar nga goditja e fortë. Shokët e skuadrës dhe miqtë e tij kanë kërkuar ndihmë financiare për të mbështetur familjen e Altamiranos në këtë moment të vështirë. Trupi i tij tashmë është dërguar në shtëpi, ku do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.
“Pusho në paqe, mik – shkruan Real Titan NC – Do të të kujtojmë gjithmonë për dashurinë që kishe për futbollin dhe familjen tënde. Na lë një dhimbje të madhe. Forca për familjen tënde në këtë moment të vështirë. Nuk jeni vetëm, familja Titan është me ju dhe e gjithë familja e futbollit është me ju. Lamtumirë përgjithmonë, Helar Gonzales Altamirano”. Tragjedia e 21-vjeçarit ka rindezur debatin për mungesën e ndihmës mjekësore në kampionatet e kategorive të ulëta në Peru.
sfidanti.al