Klubi i Milanit para disa ditësh siguroi përforcimin e parë gjatë muajit janar dhe pjesëtar i ri i tij është Lukas Paketa. Fjala është për futbollistin brazilian 21-vjeçar të Flamengos, për të cilin Milani pagoi 35 milionë euro.
Me Milanin në të kaluarën kanë luajtur mjaft futbollistë brazilianë që në këtë klub italian u bënë yje, ndërkohë që Paketa nuk ka asnjë dilemë se kujt synon ai që t’i ngjajë.
“Kaka gjithnjë ka qenë një nga idhujt e mi. Unë e di se ai është lëgjendë e Milanit dhe ëndrra ime është që unë të bëhem një Kaka i ri”, thotë Paketa.
Lukas Paketa që do të mbajë veshur bluzën me nr.39, tanimë është bashkuar me bashkëlojtarët e tij të rinj të Milanit, me të cilët ka filluar që të stërvitet së bashku, ndërkohë që “rosonerët” po përgatiten për ndeshjen e Superkupës së Italisë me Juventusin më 16 janar. Në fakt, Paketa do të prezantohet zyrtarisht te Milani të martën më 8 janar.
Sfidanti.al