Guerero i sinqertë: “S’ kam provuar drogë, fajin ma ka çaji me koka!”

Kapiteni përfaqësueses së Perusë, Paolo Guerero, nuk mund të pajtohet me faktin se ai është pezulluar një vit që të mos luajë futboll, për shkak të përdorimit të substancave të palejuara të dopingut. Mbas një testimi, në trupin e Guereros u gjendën gjurmë të kokainës, kështu që FIFA vendosi ta dënojë atë që do të thotë se ai nuk do të mund të luajë dot në kampionatin botëror Rusia-2018, ku, sikurse dihet, është kualifikuar edhe Peruja.

Sulmuesi 33-vjeçar, me pëvojë të madhe, nuk po e merr dot veten nga ky dënim i FIFA-s, duke thënë se, asnjëherë në jetën e tij, ai nuk e ka provuar kokainën:

“Jam shumë i acaruar. Nuk mund ta duroj dot këtë padrejtësi që po më bëhet. Më kanë njollosur imazhin, si në planin privat, ashtu edhe në atë profesional. Kurrë në jetën time, nuk kam provuar ndonjë drogë. Ne, në Peru, pijmë çaj që bëhet nga koka, që është shumë popullor dhe që gjendet pothuajse në çdo lokal në vendin tonë. Ne ndodheshim në një hotel dhe unë porosita çaj të zi me limon. Kudo rreth nesh, kishte lugë të vogla, kështu që unë mora njerën prej tyre që mund të ketë qenë e kontaminuar nga çaji me koka. Mua nuk më ka lënë mendja që të konsumoj kokainë”, vuri në dukje golashënuesi më i mirë i Perusë që, sidoqoftë, shpreson se ankesa e tij në FIFA do të merret parasysh dhe dënimi i tij do të anulohet.

Sfidanti.al