Guardiola, tre humbje radhazi pas 6 vitesh: “Unë nuk dorëzohem”

Humbja kundër Sporting Lisbona ka hapur zyrtarisht krizën për Manchester City. Pas disfateve ndaj Tottenham në Carabao Cup dhe Bournemouth në Premier League, në Champions League erdhi edhe goditja e tretë radhazi për teknikun Pep Guardiola, i cili nuk humbiste tri ndeshje rresht që nga viti 2018. Për trajnerin katalanas, ky është momenti më i vështirë pas disa sezoneve triumfuese. “Është një sfidë e ashpër, por jam këtu. Do të jetë një sezon i vështirë, e kemi ditur që në fillim. Por kjo është situata. Më pëlqen, e dua, dua të përballem me të, t’i motivoj lojtarët e mi dhe të përpiqem,” tha ai pas ndeshjes. “Jemi në garë në të gjitha kompeticionet dhe do të vazhdojmë përpara. Nuk dorëzohem. Ndoshta njerëzit e presin këtë, por unë nuk dorëzohem”. Së pari, është çështja e dëmtimeve që përbën edhe shqetësimin më të madh. Dëmtimi serioz i Rodri është ai që peshon më shumë, pasi spanjolli ishte truri i skuadrës, lojtari që i jepte ekuilibër një ekipi gjithmonë të përqendruar në sulm. Por nuk është i vetmi: që nga fillimi i sezonit, Bobb ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe lojtarë të tjerë si De Bruyne, Grealish, Ake, Foden, Doku, Walker, Stones dhe Ruben Dias janë gjithashtu dëmtuar (e disa ende janë të padisponueshëm), duke e reduktuar ndjeshëm grupin dhe mundësinë për rotacione, një element thelbësor në menaxhimin e grupit nga trajneri katalanas.

Guardiola nuk preferon një pankinë të gjatë (sa më shumë lojtarë, aq më shumë të pakënaqur, sipas tij), por ka dëshmuar se është një mjeshtër në menaxhimin fizik dhe mendor të skuadrës. Duke luajtur çdo tre ditë dhe duke pasur pak alternativa, Pep gjendet me një ekip ndoshta tashmë të lodhur mendërisht dhe fizikisht, duke qenë se të njëjtët lojtarë janë të detyruar të luajnë, edhe pse disa prej tyre janë të dëmtuar.

Një tjetër faktor që po ndikon në performancën e ekipit është mungesa e cinizmit në sulm. Ndërsa kundër Tottenham luajtën shumë të rinj dhe rezerva dhe Bournemouth luajti më mirë, ndeshja kundër Sporting është emblematike: pasi e çelën rezultatin në minutën e 4′, përveç një kundërsulmi të shpërdoruar nga Gyokeres, për 37 minuta City goditi portën e portugezëve, duke krijuar 5-6 raste shumë të qarta. Por barazimi nga sulmuesi suedez i pandalshëm (me ndihmën e Simpson-Pusey) tronditi skuadrën, e cila në fillim të pjesës së dytë u rrëzua brenda pak minutash, e mposhtur nga tranzicionet e shpejta të Sporting. E për të konfirmuar se ishte një mbrëmje e pafat, Haaland goditi traversën nga penalltia që mund të sillte rezultatin 2-3. “Duhet të përpiqem të gjej një shpjegim. Ndonjëherë është thjesht futboll. Duhet ta pranojmë. Kjo është jeta, ky është sporti. Të gjithë duhet të bëhen më të mirë dhe do të gjejmë rrugën për të dalë nga kjo,” u shpreh Guardiola, që tani përballet me një sfidë të vështirë në udhëtimin ndaj Brighton. Që kur erdhi te City në vitin 2016, Pep nuk ka humbur kurrë katër ndeshje radhazi. Por është një periudhë e tillë, të cilën ai po e ndan në distancë me Carlo Ancelottin, mik dhe rival në shumë beteja. Për ta përmbledhur: edhe të pasurit qajnë.

sfidanti.al