Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka dërguar një mesazh të fortë për lojtarët e tij përpara përballjes me Real Madridin në Champions League. City duhet të përmbysë disavantazhin 3-0 të ndeshjes së parë. Mes zërave për të ardhmen e tij, Guardiola dha edhe një sinjal për sezonin e ardhshëm: “Më pëlqen skuadra ime. Do të vazhdojmë deri në fund dhe sezonin tjetër do të rikthehemi”.
Duke folur për sfidën ndaj Real Madridit, tekniku katalanas pranoi vështirësinë e madhe: “Duhet ta provojmë përmbysjen. Çfarë kemi për të humbur? A ka ndonjë në këtë sallë që beson te përmbysja? Asnjë! Është pothuajse e pamundur”. Ai theksoi se madrilenët nuk kanë pësuar kurrë një përmbysje nga 3-0 në historinë e tyre në Champions, pavarësisht 15 trofeve në këtë kompeticion. Pep pranoi se përballja me Real Madridin në kthimin e Champions League është një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë.
Guardiola theksoi se nuk planifikon surpriza taktike: “Nuk kam asgjë për ta surprizuar Real Madridin. Më shumë jam i shqetësuar për mënyrën si do të mbrohemi. Nuk është e lehtë të përmbysësh 3 gola ndaj tyre”. Ai shtoi se çelësi do të jetë atmosfera në stadium: “Duhet të krijojmë atmosferë të zjarrtë me tifozët tanë dhe të bëjmë një ndeshje perfekte”.
Në fund, Guardiola u dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë lojtarëve: “Nëse nuk besojnë, është problemi i tyre. Janë të rritur dhe paguhen mirë. Nëse nuk besojnë te përmbysja në Champions League, le të shkojnë në shtëpi, le të rrinë në shtëpi”.

