Gjermania rrezikon Euro 2020-ën, Lëv i dorëzuar pas Holandës!

Mund të fitosh në fushën e rivalit kryesor dhe sërish të rrezikosh të mos shkosh në fazën finale. Kjo po i ndodh Gjermanisë, që pas triumfit 3-2 në Amsterdam, pësoi një humbje të rëndë 2-4 në Hamburg po ndaj Holandës, duke pasur tani diferencë golash më të keqe në ndeshjet direkte. Me Irlandën e Veriut, që ka pikë të plota pas 4 ndeshjesh, gjermanët nuk janë aspak të sigurt se do të shkojnë në Euro 2020, diçka që e theksuan mediat, ndërsa trajneri Joakim Lëv u duk i dorëzuar.

“Na mungon besimi në vetvete, – deklaroi ai pas ndeshjes, – ne nuk jemi në formën e duhur, dhe po ashtu na mungonin mjaft lojtarë të rëndësishëm. Problemi ynë më i madh është se nuk po shfrytëzojmë rastet që krijojmë. Holanda pati më shumë cilësi se ne”.

Gazetat në Gjermani nuk e kursyen trajnerin dhe as skuadrën. “Mos duhet të kthehet sërish Humelsi në mbrojtje, Zoti Lëv?”, është titulli në formë pyetjeje e tabloidit “Bild”, që shton se Gjermania tani rrezikon seriozisht të shkojë në finalet e Europianit. “Holanda ka shumë më tepër brumë dhe cilësi sesa gjermanët, – i referohet gazeta “Di Velt, fjalëve të Lëvit, – ne jemi shumë keq në nivel, në mbrojtje”.

Kritika të mëdha pati për vendimin e trajnerit që aktivizoi lojtarin e Shalkes, Mark Uth, të vetëm në sulm, ndonëse ai nuk ka shënuar asnjë gol këtë sezon. Gjithsesi, gjemanët ishin me mungesa si Marko Rojs, Ilkai Gyndogan e Leroi Sane, që të gjithë të dëmtuar.

“Skuadra dominuese e Kumanit ka shumë më tepër cilësi dhe fantazi sesa gjermanët, – shkruan gazeta holandeze, “De Telegraf”, – portokallinjtë shmangën një skenar me thikë në fyt”.

“Fitoi skuadra që bëri më shumë për të fituar, – u shpreh tekniku holandez, Ronald Kuman, – gjermanët po ashtu patën raste të mira, por m’u duk se ata ishin në pritje. Ne luajtëm për të fituar dhe ia dolëm. Patëm durim dhe karakter, gjë që e vlerësoj shumë”.

Tashmë, Gjermania duhet të shmangë me patjetër humbjen në fushën e Irlandës së Veriut në 9 shtator, ndërsa vendimtare mund të jetë sfida e dytë me këtë kundërshtar, në 19 nëntor në Frankfurt. Irlanda e Veriut kryeson me 12 pikë, Gjermania ka 9, dhe Holanda 6, por me një ndeshje më pak.

Sfidanti.al