Gjermani, Bundesliga gati të rifillojë në 9 maj me dyer të mbyllura

Bundesliga është gati për të rifilluar dhe mungon vetëm ‘drita e gjelbër’ nga qeveria për të zyrtarizuar gjithcka në 9 maj. Kjo është ajo që doli në përfundim të një mbledhjeje të jashtëzakonshme mes përfaqësuesve të 16 klubeve profesionistë në Gjermani.

‘Nuk është vendosur ende dita kur duhet të rifillojë kampionati, fundjava e parë e majit nuk është kohë realiste, por do të jemi gati për në datën 9 maj-tha presidenti i Ligës Gjermane, Christian Seifert-data e rifillimit të kampionatit do të vendoset nga politika. Do të ishte një mendjemadhësi deklarimi i një date fikse, sepse nuk mundemi, sepse nuk e kemi kompetencën, sepse nuk është detyra jonë. Nuk varet nga ne’.

Përsa i përket zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura Seifert tha se është mënyra e vetme për të shpëtuar Bundesligën.

‘Sezoni duhet të mbyllet në 30 qershor, por ka mundësi që ai të zgjatet deri në korrik-vijoi Seifert.

Pra, ashtu sic parashikohet, futbolli gjerman do të jetë i pari që do të rifillojë në Evropë pas pauzës së nevojshme për shkak të pandemisë coronavirus. Skuadrat gjermane,duke zbatuar masat e duhura , kanë rifilluar stërvitjet në fund të muajit mars(rasti I Wolfsburgut) dhe në fillim të prillit.Tani duhet vetëm OK i qeverisë së kancelares Angela Merkel, gjë që duket se do të jetë një formalitet duke qenë se spitalet gjermane po arrijnë të përballojnë emergjencën dhe se në vend nuk po regjistrohet ai numër i lartë viktimash si në vende të tjera si Italia, Spanja, Franca e Britania.

Sfidanti.al