Giuseppe B. Commisso emërohet president i Fiorentinës

Fiorentina ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve të klubit është mbledhur dhe ka emëruar Giuseppe B. Commisso në postin e presidentit të ri të klubit. Gjatë të njëjtit takim, Bordi ka konfirmuar gjithashtu Mark Stephan si Drejtor Ekzekutiv dhe Alessandro Ferrari si Drejtor të Përgjithshëm. Giuseppe B. Commisso merr drejtimin e Fiorentinës pasi më herët ka mbajtur role të rëndësishme brenda strukturave drejtuese të klubit, duke qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vendimmarrje dhe në strategjinë afatgjatë.

Në fjalën e tij të parë si president, Commisso u shpreh i emocionuar dhe i përkushtuar për të vazhduar rrugën e ndërtuar nga familja e tij: “Është një nder i madh për mua të jem president i Fiorentinës. Dua të falënderoj veçanërisht nënën time, Catherine. Emërimi i saj në Bordin e Drejtorëve pasqyron vazhdimësinë e angazhimit të familjes sonë, duke ndjekur gjurmët e babait tim, Rocco. Jam thellësisht i vendosur të vazhdoj trashëgiminë e tij dhe vizionin që ai ndërtoi për Fiorentinën”. Ai theksoi gjithashtu se klubi do të vazhdojë të zhvillohet duke respektuar identitetin dhe historinë e tij: “Do të punojmë me vendosmëri për të forcuar klubin, duke respektuar plotësisht vlerat, historinë dhe lidhjen e fortë me qytetin dhe tifozët, ashtu siç ka bërë babai im deri më sot”. Giuseppe B. Commisso është djali i ish-presidentit historik të Fiorentinës, Rocco Commisso, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme për klubin vjollcë.

Sfidanti.al