Juventusi u eliminua nga Liga e Kampionëve pas një mbrëmjeje të mbushur me emocione, ndërsa në fund të ndeshjes reagoi edhe mbrojtësi bardhezi, Federico Gatti. Ai shprehu hapur pakënaqësinë për vendimin e arbitrit që ndëshkoi Kelly-n me karton të kuq, një episod që ndikoi drejtpërdrejt në fatin e sfidës. “Kartoni i kuq për Kellyn më duket absurd. Ai prek topin dhe pastaj çfarë duhet të bëjë? Ne mbrojtësit në futbollin e sotëm jemi shumë të penalizuar”, deklaroi Gatti menjëherë pas ndeshjes.
Qendërmbrojtësi italian theksoi reagimin e fortë të skuadrës, pavarësisht vështirësive dhe inferioritetit numerik në fushë. “Reagimi ishte mbresëlënës, edhe tifozët na mbështetën jashtëzakonisht shumë. Në kohën shtesë ishim shumë të lodhur, por dhamë gjithçka”, u shpreh ai. Sipas Gatti-t, kualifikimi ishte komprometuar që në ndeshjen e parë. “Kualifikimin e hodhëm poshtë në takimin e vajtjes, ajo ndeshje nuk duhej të përfundonte ashtu. Sonte bëmë një paraqitje të madhe, edhe me një lojtar më pak. Na vjen shumë keq, vërtet shumë. Jam i rraskapitur”, përfundoi mbrojtësi i Juventusit, duke reflektuar zhgënjimin e madh që mbizotëron në kampin bardhezi pas eliminimit europian.
Sfidanti.al

