Përfaqësuesja e Maqedonisë është nisur për në Granada, ku, të shtunën, ajo do të zhvilloi ndeshjen kualifikuese të radhës të Kupës së Botës 2018 me Spanjën. Ekipi maqedonas e di që do ta ketë shumë të vështirë atje, por, sidoqoftë, një faktor lehtësues është fakti se ai nuk do të luajë me formacionin më të mirë të “furisë së kuqe”. Sidoqoftë, sesa lehtësim mund të sjellë ky fakt, këtë do ta tregojë vetë ndeshja në “Los Karmenes”. Media spanjolle shkruan se, ka shumë mundësi, që të mos luajë edhe sulmuesi Diego Kosta që ka një dëmtim, në fakt, jo shumë serioz (hematomë), por që, sipas gazetës “El Konfedensial”, do ta lejë atë jashtë fushës, pasi i duhet që të shkojë në Londër për kurim.
Kjo, në fakt, do të përbënte një goditje tjetër për trajnerin Hulen Lopategi që, më parë, ka mbetur pa shërbimet e Zherar Pikesë, Serhio Ramosit dhe Andres Iniestës, ndërkohë që ka dilema edhe rreth Zhordi Albës. Trajneri i Maqedonisë, Igor Angelovski, nga ana tjetër, do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistet e tij, madje edhe Goran Pandevin që pësoi, ditët e fundit, një dëmtim të lehtë.