Ftesë nga Ronaldo e Ramos: Levandovski, eja tek Reali!

Këtë herë nuk pati diskutime mes menaxherësh, prokurorësh apo agjentësh të lojtarit dhe të klubit. Ishin vetë futbollistët që zhvilluan një bisedë të thjeshtë siç dinë ta bëjnë vetëm ata, ndonëse përfundimi nuk është aspak i qartë. Kristiano Ronaldo e Sergio Ramos, ndoshta krejt me iniciativë personale, e këshilluan Robert Levandovskin që të bashkohej me ata tek Reali. Kjo ndodhi në përfundim të ndeshjes çerekfinale Real-Bajern në “Bernabeu”. Kështu informon gazeta spanjolle, “AS”.

“Reali do të ishte vendi i duhur për sukseset në karrierën tënde”, mësohet të kenë thënë dy yjet madrilenë, gjithnjë sipas “AS”-it, ndërsa Levandovski nuk e paska hedhur poshtë këtë mundësi. Gazeta shkruan se edhe presidenti Florentino Perez nuk ka mbetur prapa duke biseduar me familjarë të sulmuesit polak, dhe duke i uruar sukses për pjesën e mbetur të sezonit. Pavarësisht, se bisedat ishin konfidenciale, këto mund të quhen shkelje të rregullave dhe Bajerni mund të protestojë, ndërsa Levandovski e ka rinovuar kontratën në Mynih, kohët e fundit.

Sfidanti.al