FIFA tregohet e mëshirshme: Gerero do të luajë në Botëror

Federata Botërore e Futbollit e përgjysmoi dënimin që i dha, fillimisht, sulmuesit dhe kapitenit të Perusë, Paulo Gerero, që doli pozitiv në një testim dopingimi. Gazeta braziliane, “Globe Esporto”, por edhe gazeta spanjolle, “Marka”, bëjnë të ditur se Komisioni i Ankesave të FIFA-s e kishte pranuar ankesën e Gereros që, në shumë raste, pasi doli pozitiv për përdorim kokaine, ka deklaruar se, kurrë në jetën e tij, nuk kishte marrë ndonjë drogë dhe se ai mund të kishte pirë pa dashje çaj me koka që është shumë i përhapur në Peru, në një hotel, ku ishte vendosur përfaqësuesja peruane.

Kështu që komisioni i mësipërm i FIFA-s e mori parasysh ankesën e Gereros për një “doping të pavetëdijshëm”, duke ia përgjysmuar dënimin nga një vit në gjashtë muaj që do të thotë se ai ka kohë që të përfshihet përsëri në përfaqësuesen e Perusë dhe të marrë pjesë në kampionatin botëror që do të zhvillohet vitin e ardhshëm më Rusi.

Sfidanti.al