Federata e Futbollit të Turqisë kontaktoi me një futbollist në Gjermani, në përpjekje për ta bindur atë që ai të vinte të luante me kombëtaren e Turqisë, vetëm sepse mbiemri i tij iu duk përfaqësuesve të kësaj federate si me origjinë turke. Mbrojtësi i Hofenhajmit, Niklas Shyle, vlerësohet si një nga mbrojtësit më me perspektivë në Gjermani dhe, gjatë sezonit të ardhshëm, ai do të mbajë të veshur bluzën e Bajernit të Mynihut, pasi e ka nënshkruar, tanimë, kontratën, ndërsa, më parë, kishte refuzuar një ofertë nga Celsi.
Shyle që ka kaluar përmes të gjithë ekipeve përfaqësuese gjermane të moshave dhe që ka debutuar, tanimë, edhe me përfaqësuesen e të rriturve të Gjermanisë, zbuloi një moment interesant lidhur me Turqinë. “Kur luaja me ekipin përfaqësues të Gjermanisë U 16, mora një ftesë nga Federata e Futbollit të Turqisë që të luaja me ekipin përfaqësues përkatës turk, pasi mbiemri im, Shyle, iu duk atyre si turk, kurse unë nuk kam asnjë lidhje me Turqinë”, deklaroi Shyle. Sidoqoftë, ai nuk është gjerman i pastër, pasi ai ka origjinë hungareze nga i ati.
sfidanti.al