Shqiptarët në Ligën e Konferencave, Partizani favorit, por Vllaznia e Laçi do të vuajnë!

Kur fiton thellë në të parën, ke më shumë shpresë. Padyshim që kështu ndihet Partizani që triumfoi 5-2 një javë më parë në “Elbasan Arena” ndaj Sfintul Georges, ndërsa sonte ka sfidën e kthimit në Moldavi, në orën 19:00. Ekipi i trajnerit Ilir Daja është padyshim favorit për kualifikim në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ndonëse pret që të ketë 90 minuta të forta përballë një rivali që nuk ka asgjë për të humbur dhe do ta provojë fatin e tij.

Të kuqve u mungon vetëm Musta i dëmtuar, ndërsa Daja pritet të luajë me skemën 4-3-3. Trajneri u shpreh me besim në konferencën për shtyp para ndeshjes, duke mos dashur të komentonte faktin se Partizani jepet sërish favorit për fitore nga kompanitë e basteve. Kryeqytetasit zhvilluan stërvitjen e fundit në Moldavi dhe Daja besohet se do të mbështetet tek lojtarë si kapiteni Hoxha, Gligorov, Shehi, Belica, Marku, Murataj, Kote, Bardhi, Cara, Kardozo e Zhunior.

Vllaznia, ndërkaq, ka një detyrë shumë më të vështirë sepse është mundur 1-3 në ndeshjen e parë në Bosnjë Hercegovinë. Shiroki Brijeg triumfoi 3-1, ndonëse shkodranët patën pretendime të forta për vendimet e arbitrit rus që sipas tyre ndikoi direkt në rezultat. Trajneri Tomas Brdariç është i pezulluar, ndërsa zëvendësi i tij Plori deklaroi se kualifikimi është i mundshëm pavarësisht misionit të vështirë, ndërsa kërkohet shpejtësi dhe ekuilibër, me shpresë edhe tek mbështetja e tifozëve.

Mungesë e rëndësishmë është Ardit Krymi, gjithashtu i pezulluar, ndërsa Vllaznia pritet të luajë me skemën 4-2-3-1, me ndeshjen që nis në orën 21:00 në “Loro Boriçi”. Ekipi tjetër shqiptar në Ligën e Konferencës është Laçi që pret në shtëpi Podgoricën, me synim përmbysjen e humbjes 0-1 pësuar në Mal të Zi.

Sfidanti.al