Qielli i shtatë : Shkëndija … 2 600 000 euro nëse hyn në fazën e grupeve

Klubi i Tetovës u eliminua në raundin e tretë kualifikues të Championsit nga Salcburgu austriak (3-0, 0-1) dhe tani Shkëndija do të vazhdojë në fazën play off të Ligës së Evropës (LE), ku ka shumë mundësi që përballë do të ketë Rozenborgun norvegjez që pret në fushën e vet Kork Sitin irlandez, ndërkohë që ndeshjen e parë jashtë e ka fituar 0-2. Të dy ndeshjet play off të LE-së do të luhen më 23 dhe 30 gusht.
Sa për kujtesë, UEFA e ka rritur fondin e shpërblimit për sezonin 2018/19 për klubet që marrin pjesë në konkurrimet evropiane. Kështu, në qoftë se Shkëndija do të arrijë që të hyjë në fazën e grupeve të LE-së, ajo do të ketë të garantuar minimumi 2 600 000 euro. Deri tani, në llogarinë bankare të Shkëndijës së Tetovës janë derdhur 1 300 000 euro, ndërkohë që, duke pasur parasysh edhe sa më sipër, shuma mund të arrijë deri në 3 900 000 euro.
Po ashtu, sa për kujtesë, për çdo fitore që një klub do të arrijë në fazën e grupeve, ai do të marrë 570 000 euro dhe 190 000 euro për barazimin.
Sfidanti.al