Parashikim i Van Persit për fituesin e Ligës së Evropës…

Java e ardhshme do të ngjallë emocionet e fundit në dy konkurrimet më të rëndësishëm evropianë për këtë sezon – finalja e Ligës së Evropës (LE) dhe finalja e Ligës së Kampioneve (LK).

Finalja e parë, ajo e LE-së, do të zhvillohet me 29 maj në Baku (Azerbajxhan), ku forcat do t’i masin dy klube londineze, Arsenali dhe Çelsi. Pritet që kjo ndeshje të jetë shumë interesante, pasi do të luajnë dy ekipe që janë pak a shumë të barabartë, por, nëse pyesni “holandezin fluturues”, Robin Van Persi, ai i jep epërsi “topçinjve”.

“Unë personalisht mendoj se epërsia është në anën e Arsenalit. Ai është pak më i mirë se Çelsi, por ama ky i fundit ka Eden Azarin që është një futbollit special që në çdo moment mund të bëjë të papriturën për ekipin kundërshtar”, deklaroi Van Persi.

Finalja e LE-së do të jetë finalja e parë e Arsenalit në Evropë që nga ajo e vitit 2006, kur ai pësoi humbje nga Barcelona në LK. Nëse Arsenali do ta fitojë kupën e Ligës së Evropës, ai do të sigurojë edhe vend në Ligën e ardhshme të Kampioneve.

Sfidanti.al