Championsi ka anglezët, por Liga e Europës ka italianët

Skuadrat angleze dolën më të fortat deri tani në turin e dytë të Championsit, por Liga e Europës duket tjetër histori. Plot 4 skuadra të Serisë A janë ndër më të fortat dhe pse jo, favorite për të fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm në kontinent. Napoli, Milani, Lacio dhe Atalanta nisin sot aventurën italiane që tifozët shpresojnë të mos jetë e shkurtër, por të vazhdojë deri në prill apo në maj.

Gjithsesi, trajnerët “e kaltër” fshihen. “Prioritet ka kampionati, – thotë me të drejtë Mauricio Sarri i Napolit, – Liga e Europës për ne është një çmenduri”. i ndryshëm mendimi i Xhenaro Gatuzos, pasi i ndryshëm edhe pozicioni i Milanit të tij, që vetëm nga Europa mund të sigurojë Championsin: “Jam duke jetuar një ëndërr, të luash në këtë kupë është një nder”.

I shqetësuar trajneri i Lacios, Simone Inzagi, pas rezultateve të fundit jo edhe aq të mira. “Momenti është “jo”, duhet të reagojmë, ndërsa Felipe Anderson do të jetë në stol”, – shprehet ai. Së fundi, Gasperini i Atalantës që padyshim po jeton edhe ai një ëndërr. “Dortmundi është favorit ndaj nesh, por do të japim gjithçka për t’u kualifikuar”, – shprehet “Gaspi”. Ka të drejtë, pasi Atalanta shkatërroi Evertonin në grupe, dhe la pas Lionin.

Gjithsesi, kompanitë e basteve nuk i japin italianët si favoritë. Në vend të parë është Atletiko e Madridit, pastaj Arsenali e Dortmundi, dhe vetëm pas tyre Napoli, Lacio e Milani.

Sfidanti.al