“Dështaku” i Anglisë, Hoselu, është lojtar i Realit të Madridit

Në Premier Ligë askush nuk vuri bast për të, dhe as nuk pati dashuri. Një histori si shumë të tjera i ndodhi sulmuesit të Spanjës, Hoselu, i cili duket se “u dogj” për të ardhmen e karrierës. E kundërta ndodhi! Në moshën 33-vjeçare, Hoselu ka prekur “qiellin me dorë”, pasi është bërë lojtar i Realit të Madridit. Kryeqytetasit e morën në ekip pasi përfundoi huazimi 1-vjeçar tek Espanjoli, dhe sulmuesi i “Furive të Kuqe” kushtoi gjithsej 6 milionë euro. Një biznes për një klub që e quan normale të shpenzojë mbi 100 milionë! Ai ishte sukses me Espanjolin me 16 gola në 34 ndeshje në La Liga sezonin e kaluar, ndërsa me kombëtaren e Spanjës ka nisur të shkëlqejë tani në “pleqëri”, me 3 gola në 4 ndeshje, duke shënuar edhe ndaj Italisë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, e duke u shpallur kampion.

Sfidanti.al