Dembele pritet të rikthehet për PSG-në ndaj Bayer Leverkusen-it

‘Ylli’ i Paris Saint-Germain dhe fituesi aktual i Topit të Artë, Ousmane Dembele, pritet të rikthehet në fushë këtë javë pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit. Sipas asaj që raporton gazeta franceze Le Parisien, sulmuesi 28-vjeçar do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen ndaj Bayer Leverkusen në Ligën e Kampionëve të martën. Dembele ishte lënduar në fillim të shtatorit gjatë grumbullimit me kombëtaren franceze, ku pësoi një tërheqje në muskujt e pasmë të kofshës menjëherë pasi hyri në lojë si zëvendësues. Ky incident ka shkaktuar edhe tensione mes PSG-së dhe Federatës Franceze të Futbollit për mënyrën si është menaxhuar gjendja fizike e lojtarit. Pas një periudhe rikuperimi, sulmuesi është pranë rikthimit të plotë, por Le Parisien thekson se ai nuk pritet të jetë titullar ndaj skuadrës gjermane, pasi trajneri Luis Enrique preferon një qasje më të kujdesshme për ta rikthyer atë gradualisht në formacion. Kthimi i Dembele-së përforcon ndjeshëm skuadrën parisiene në një moment kyç të sezonit evropian.

sfidanti.al