Dembele i “shtrydhur”, PSG e dërgon me pushime

Pas disfatës ndaj Lens në finale, PSG ngeci edhe ndaj Rennes, në sfidën e parë të këtij sezoni në Francë, dy ndeshje që nxorën në pah një të vërtetë të madhe, ekipi i Luis Enriques dukshëm nuk është në formë, kjo e kushtëzuar edhe nga fakti që pjesa më e madhe e lojtarëve ishin të angazhuar edhe në Botërorin “FIFA2026”. Totalisht jashtë forme është edhe ylli i ekipit, Ousmane Dembele, aq sa në ndeshjes kundër Rennes, sulmuesi francez qëndroi në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë.

Forma e tij detyroi klubin dhe trajnerin Luis Enrique ta dërgonin sërish me pushime. Me anë të një deklarate për mediat, klubi i PSG bëri me dije se Dembele do të qëndrojë pushim deri të hënën, për t’u bashkuar më pas me pjesën tjetër të ekipit. Në këtë mënyrë, Dembele nuk do të jetë në dispozicion të Luis Enrique për sfidën e radhës, atë kundër Lille. Jo vetëm Dembele, një tjetër çështje që shqetëson drejtuesit e klubit është situata me Barcola. PSG e ka nxjerr në shitje, nuk bën pjesë në planet e klubit, por ylli francez dëshiron të transferohet vetëm te Liverpool. Barcola dhe përfaqësuesit e tij kanë gjetur akordin total me ekipin e kuq, por diferenca mes ofertës dhe kërkesës mbetet shumë e madhe. PSG vlerëson kartonin e tij me 145 milionë paund, por Liverpool nuk ofron më shumë se 100 milionë paund. Përballë një fakti të tillë, dëshirës së lojtarit dhe vlerës së kartonit të tij, PSG mund të bëjë pak skonto për t’i dhënë fund këtij diskutimi.