Conte hidhet në sulm: Ndonjëherë dikush duhet të heshtë

Napoli është akomoduar në krye të tabelës së Serisë A, por kundër Lecces vuajti jo pak dhe iu desh të mbështetet te qëndrueshmëria e André-Frank Zambo Anguissa dhe një penallti e pritur nga Vanja Milinkovic-Savic për të siguruar tri pikët. Një fitore 1-0 që nuk e kënaqi plotësisht Antonio Conten, i cili, pavarësisht pozicionit në klasifikim, po vuan nga dëmtimet e shumta.

“Le të mos harrojmë se në fillim të këtij sezoni po merremi me një sërë dëmtimesh të lojtarëve kryesorë. Pati shumë diskutime për përforcime në verë, por humbëm De Bruyne dhe Lukaku. Disa thonë se po përfitojmë nga kjo, por kjo është absurde”, shpjegoi Conte për DAZN.

“Ka pasur shumë mendime, megjithatë Meret u dëmtua dhe tani është vetëm Milinkovic-Savic. Disa u ankuan se kishim blerë një portier jo të nivelit të lartë, ka shumë diskutime, por ndonjëherë duhet të heshtësh dhe të biesh dakord me ata që kanë vizion më të mirë se ata që gjykojnë”.

Trajneri i Napolit gjithashtu nuk e fshehu zhgënjimin e tij për menaxhimin e ndeshjes, veçanërisht në pjesën e dytë kur penalltia e humbur e Francesco Camardas kërcënoi të përmbyste situatën: “Kjo ndeshje nuk ishte e lehtë sepse po vinim pas asaj me Interin, ku shpenzuam shumë energji. Luajtëm kundër një skuadre të mirë, por duhet ta kishim menaxhuar më mirë në fazat e fundit”, shtoi Conte. “Duhet ta kesh mendjen në fushë. Kjo vjen e para, pastaj zemra dhe këmbët”.

sfidanti.al