Pas suksesit ndaj Cremonese-s, Antonio Conte ndali për një moment te bilanci i vitit 2025, duke e cilësuar atë si një periudhë të veçantë në historinë e Napolit. Trajneri italian u shpreh i kënaqur për atë që skuadra arriti në një vit kalendarik plot emocione dhe suksese. “Po festojmë një vit fantastik, në të cilin arritëm diçka të madhe dhe deri diku të papritur. Fitimi i titullit kampion dhe më pas i Superkupës, duke mposhtur Milanin dhe Bologna-n, janë rezultate që do të mbeten. Më vjen keq që kjo periudhë po mbyllet, sepse ishte një vit shumë i bukur dhe emocional”, deklaroi Conte.
Teksa foli për ecurinë aktuale në kampionat, trajneri theksoi mentalitetin e skuadrës: “Kur fiton, Napoli feston në mënyrën e vet. Jemi pranë kreut të renditjes dhe po punojmë mirë, edhe pse këtë sezon po përballemi me vështirësi serioze. Me guxim dhe sakrificë, këta lojtarë po tregojnë se duan ta mbrojnë titullin, pavarësisht mungesave të rëndësishme”. Vëmendje të veçantë mori edhe Højlund, autor i dy golave në ndeshjen e fundit. “Është shumë i ri dhe ka ende hapësirë të madhe për përmirësim. Po bëhet gjithnjë e më dominant në rolin e tij, po mëson kur të sulmojë hapësirën, kur të mbajë topin dhe kur të reagojë për ta rikuperuar. Potenciali i tij është shumë i lartë”, u shpreh Conte.
Në fund, trajneri nuk harroi të përmendte mungesat e rëndësishme si Meret, De Bruyne, Anguissa, Lukaku dhe Gilmour, duke nënvizuar se Napoli po ndërton rrugën e vet me punë dhe përkushtim. “Ende nuk jemi gati të komandojmë si klubet e mëdha. Juventusi, Milani dhe Interi, për strukturë dhe burime, janë ndryshe. Të fitosh dy trofe brenda një viti në Serie A do të thotë se ke bërë diçka vërtet të jashtëzakonshme”.
sfidanti.al

