Chiesa kthehet në Torino, por pa siguri për të ardhmen

Pas pushimeve më të gjata për shkak të Europianit, Federico Chiesa është rikthyer te Juventusi, por këtë herë më i pasigurt se kurrë për të ardhmen. Sulmuesi italian ka kontratë deri në verën e ardhshme me bardhezinjtë dhe nuk ka pranuar të rinovojë, ndaj gjasat janë që të largohet këtë verë, pasi te Juventusi nuk duan ta humbin me parametra zero një vit më vonë.

Në këto kushte, Chiesa ka kryer testet mjekësore rutinë dhe do të stërvitet në Torino bashkë me futbollistët që nuk bëjnë pjesë në planet e skuadrës për sezonin e ri, teksa trajneri Motta dhe pjesa tjetër e ekipit kanë fluturuar drejt Gjermanisë. Vetëm pas kthimit të skuadrës nga Gjermania, pritet që Motta dhe Chiesa të kenë një takim kokë më kokë, ku do të shkëmbejnë pikëpamjet dhe të diskutojnë mbi mundësinë e angazhimit të sulmuesit në një rol të rëndësishëm në ekip.

Vetë Motta ka shmangur komentet mbi Chiesën, ndërsa drejtuesit e Juventusit kanë çuar sinjale të qarta se pa firmën mbi kontratën e re, sulmuesi italian do të duhet të gjejë një skuadër tjetër këtë verë për t’u larguar.

 

sfidanti.al