Champions me publik? Vendimi do merret nga autoritetet portugeze

Do të jenë autoritetet portugeze që do të vendosin nëse faza ‘Final Eight’ e Ligës së kampioneve në Lisbonë në 12-13 gusht do të zhvillohet me publik apo jo. Ai që e konfirmoi këtë ishte vetë presidenti i vendit Marcelo Rebelo de Sousa për median portugeze.

‘Po të jemi në një situatë që na këshillohet të luajmë pa publik, do ta bëjmë-tha De Sousa-autoritetet e vendit ku zhvillohet ky kompeticion do të japin vendimin’

De Sousa shtoi se zgjedhja e Lisbonës si vendi i fazës finale të Ligës së Kampioneve është një promovim i cmuar për ekonominë e vendit. portugalia ka qenë një nga vendet më pak të prekur nga pandemia Covid-19, por nga fundi i majit u pa që të rritej sërish numri i të prekurve në 5 zona të Lisbonës dhe sipas ministres portugeze të Shëndetësisë, Marta Temido ka vështirësi në kontrollin e zinxhirit të transmetimit të virusit.

Faza ‘Final Eight’ do të zhvillohet me ndeshje unike mes 8 ekipeve më të mira. Deri tani dihen emrat e 4 skuadrave të para të kualifikuara, Paris Saint Germain, Atletico Madrid, Atalanta dhe Leipzig. Kanë mbetur për t’u luajtur sfidat e mbetura të kthimit të 1/8 të finaleve; Bayern-Chelsea, Barcelona-Napoli, Lyon-Juventus dhe Manchester City-Real Madrid që do të luhen në 7 gusht.

sfidanti.al