Barcelona e tij është shumë “ortodokse”, më pak habitëse sesa ajo e Guardiolës. Ernesto Valverde hodhi në fushë një skuadër të kolauduar ndaj Çelsit në Champions, duke mos dashur të bënte shumë ndryshime. Në terren ishin Paulinjo, Sergi Roberto dhe gjithë “garda e vjetër” si Pike, Buskets, Mesi, Iniesta apo Suarez. Një sulmues i marrë gati 120 milionë euro si Usman Dembele thjesht mundi të bënte nxemje anës fushës, por trajneri i katalanasve nuk ka asnjë lëkundje kur përgjigjet.
“Hodha në fushë Paulinjon pasi kjo nuk ishte ndesje për të bërë eksperimente, – tha ai, – ai vërtet vuan pak kur nuk ka hapësira, por nuk të tradhëton kurrë dhe shënon sapo t’i jepet rasti. Nuk mund të mos vlerësoj ata që na sollën deri këtu”. Paulinjo e pati të vështirë, por ashtu Suarez ndonëse luftoi fort, po ashtu Gerard Pike. Për mbrojtësin e qendrës, Valverde thotë se “e mbylli ndeshjen më mirë sesa prisnim”.
Çfarë mendon ai për fatin e kualifikimit? Barcelona apo Çelsi? “Kemi marrë një rezultat të mirë, por jo përfundimtar, – shprehet trajneri i Barçës, – u luajt ndeshja e pritshme, klasike, mes dy stileve të futbollit. Ata i patën rastet në kundërsulm, ndërsa ne patëm topin, por jo rastet. Duhet të jemi më të qartë kur sulmojmë ndaj ekipeve që mbrohen kaq shumë”. Valverde mendon se Barcelona ka një epërsi, por fati i ndeshjes në “Kamp Nou” nuk është i vendosur.
Sfidanti.al